Familja e 30-vjeçares Liridona Ademaj e cila u vra të mërkurën e 29 nëntorit në fshatin Bërrnicë të Prishtinës i kanë bërë kërkesë Prokurorisë për një takim urgjent për t’u informuar rreth ngjarjes makabre të asaj nate.
Ka qenë vëllai i saj, Leonardi ai i cili në Facebook ka bërë publike edhe kërkesën me të cilën i janë drejtuar Prokurorisë, derisa dhe i kanë falënderuar ata dhe Policinë për punën e bërë deri tani, por që siç ka thënë ai ata si familje nuk janë kontaktuar fare.
“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj.
Leonardi thotë se ata ende s’janë informuar zyrtarisht se kush është prokuror i rastit të motrës së tij, dhe informata kanë vetëm ato që kanë marrë nga mediat.
Ne jemi thellësisht falenderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media”, shkruan Leonardi, vëllai i Liridona Demajt në Facebook.
“Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, shkruan tutje ai.