Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë të shtunë një bashkëbisedim me gratë demokrate në sajë të aksionit opozitar nën moton ‘O sot, o kurrë’.
Duke ditur situatën në të cilën ndodhet Berisha dhe akuzat e SPAK për favorizimet e të afërmve në privatizimin e kompleksit Partizani, ky i fundit është surprizuar në mbledhjen e zhvilluar me gratë. Një simpatizante demokrate e ka krahasuar Berishën me Jesusin, dhe ka thënë se ai po kryqëzohet për fajet e demokratëve të tjerë.
“Këmbëngula ta marr fjalën për të thyer pak edhe moshën, për të treguar që ti nuk ke vetëm gra në moshë po ke edhe vajza, nuse dhe gjyshe. Me që jemi dhe në prag Krishtlindjesh, dua të të sqaroj se përse po të mbështesim! Ne nuk po mbështesim vetëm doktor Berishën, po mbështesim një Jezus në tokë. Ashtu siç kryqëzuan atë, ashtu po mundohen të të kryqëzojnë edhe ty për mëkatet tona. Jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për gabimet e juaja që unë i kam quajtur gabime jo të këqija”, tha simpatizantja.
Kjo gjë duket se i ka bërë qejfin Berishës i cili për një moment ka buzëqeshur. Kujtojmë që Berisha tashmë është pa imunitetin e deputetit, i cili iu hoq të enjten në parlament me votim të deputetëve, miratim të këshillit të mandateve dhe kërkesë të SPAK. Prokuroria e Posaçme pritet të kërkojë ndaj Berishës një masë më të ashpër se ajo e detyrimit për paraqitje të cilën deputeti nuk e respektoi.