Mikael Svatos 27 vjeç dhe Ana Kosinova, 36-vjeçe kishin ardhur për turizëm në Shqipëri, pa e ditur që ky do të ishte udhëtimi i tyre i fundit. Ishte data 3 Korrik e vitit 2015-të. Dy të rinjtë nga Çekia po ktheheshin nga Dukagjini për në Shkodër me makinë, kur para u doli Sokol Mjacaj, në atë kohë 20 vjeç. Ai kishte me vete kallashnikov e nën kërcënimin e armës iu fut në makinë për t’i grabitur.
U kërkoi që t’i jepnin paratë, por dy të huajt nuk e kuptuan. Të tmerruar nga grabitësi i armatosur, ata tentuan në çdo mënyrë të shpëtonin. Siç do të rrëfente vetë vrasësi Mjacaj, Mikaeli frentonte fort makinën në mënyrë që ta përplaste dhe kur Mjacaj u kërkoi që të ndalonin në një zonë me pyll, 27-vjeçari tentoi t’i merrte armën. Vajza qante dhe bërtiste gjatë gjithë rrugës. Fatkeqësisht, njësoj si në një film horror, asnjë prej tentativave të dy turistëve nuk patën sukses. I acaruar nga rezistenca e tyre, Mjacaj i ekzekutoi të dy me armë zjarri. Ende i bindur në qëllimin e tij për t’i grabitur, pasi i vrau donte t’i merrte makinën. Por edhe ky plan i dështoi pasi fuoristrada u rrëzua. Mjacaj u largua nga skena e krimit vetëm me një prej telefonave të viktimave, atë që i kishte pëlqyer. “Karriera” e tij si grabitës e vrasës kishte nisur që në moshë fare të re. Ishte vetëm 15-vjeç kur bashkë me dy persona të tjerë tentuan t’i merrnin varësen një djali 13-vjeçar. Kur ky i fundit rezistoi, ata e vranë dhe trupin ia hodhën në lumë