Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj qëndrimit të Serbisë pas deklaratës së miratuar nga liderët e Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Reagimi i ministres Gërvalla vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, pas miratimit të deklaratës së përbashkët, përmes një letre ka bërë të ditur se “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin njohjen e Kosovës ‘de facto’ dhe ‘de jure’”.
Gërvalla i ka bërë ftesë komunitetit ndërkombëtar që të heq dorë nga politika e zbutjes së Serbisë.
“Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, ka shkruar Gërvalla në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.
Më tej në letrën e kryeministres serbe, të cilën e ka publikuar ministrja Gërvalla, thuhet se “Republika e Serbisë nënvizon se kjo përshtatje nuk përfshin pranimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB, në sistemin e organizatave të OKB-së dhe agjencive, e as të ashtuquajturin integritetin territorial të Kosovës”.
Më tej në letër shtohet se kjo deklaratë konsiderohet si ligjërisht jo obliguese dhe nuk e ka as peshën e marrëveshjes ndërkombëtare sipas së drejtës ndërkombëtare.
Ky qëndrim i Serbisë e vë në dyshim edhe pranimin nga ana e saj të obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit për zbatimin e saj, pasi në to përfshihet edhe moskundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe respektimi i integritetit territorial.