Rreth 85% e sektorit të shëndetësisë private në Shqipëri, është në duart e një njeriu të vetëm, me lidhje të fuqishme politike duke krijuar monopol dhe çmime mjaft të larta të shërbimeve.
Në puntatën e kësaj të mërkure, Inside Story ka sjellë një investigim të thelluar mbi dominancën e tregut nga Rrjeti i Spitalit Amerikan, përmes metodave të dyshimta. Nga konçensioni i Dializës, abuzimet, fryrja e kostove e deri tek përfitimet indirekte në konçesionet e tjera të rëndësishme.
Një perandori ekonomike që nis me ngritjen e Spitalit Amerikan, dhe zgjerohet me monopolizimin e paketave shëndetësore, konçesione dhjetëra milionë euro, tendera të majmë e biznese nga më të ndryshmet.
Bodrumi i kthyer në repart dialize, pacientët: Të zihet fryma…
Sot, pas 7 vitesh nga tragjedia te reparti i dializës, frika për përsëritjen e një ngjarje të tillë ekziston mes pacientëve. Tashmë reparti i hemodializës në spitalin amerikan numër 2, është vendosur në garazhdin e godinës, në katin -2 kujanë dy ambiente me kapacitet 29 pacientë.
‘Salla e madhe është me 23 krevatë, e vogla me 6 krevate’ u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë
Kushtet mbeten skandaloze, nuk ka dritare për ajrosje, tubat e shkarkimit të të gjithë godinës janë mbi kokat e pacientëve. Në këtë ambient, ku përveç pacientëve janë edhe të pakten 15 punonjës që ofrojnë shërbimin nuk ka një tualet.
‘Kushtet janë skandaloze, garazhdi imakinëve është kthyer në pavion dialize, 25 veta në një dhomë, 15 janë personel, nuk ka një tualet….Një pavion që të zihet fryma. Nuk ma merr mendja që ai mjek që ka hedh firmën për ta kthyer ne pavion dialize atë abient e sjell aty vëllain, nënën, apo motrën. Të rrish 4 orë pa e parë dritën e diellit, kanë vendosur dritare fallco. Të gjitha shkarkimet e tubave bëhen në garzhdin e makinave të gjithë tubat i kemi sipër kokës’ u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë
Gjendja aktuale e repartit ku ofrohet dializa në spitalin privat nxjerr zbuluar shkeljen e kritereve të përcaktuara në kontratën konçesionare. Aty përcaktohej qartësisht se shërbimi duhej të kishte 4 dhoma të ndara.
Dhomat e hemodializës janë 4, të vendosur përgjatë korridorit. Dhomat kana kapacitet 10, 6, 8, 5 shtretër, të pajisur me panel prizash dhe dalje oksigjeni për secilin, ka nga një kënd infermieror me një tavolinë pune dhe një karrocë mjekimi, si dhe në njërën nga dhomat ka një aparat defibrilatori portabël. Pranë dhomave ndodhet edhe blloku I nyjeve higjeno-sanitare për pacientët, të ndara sipas gjinive. Blloku ka të përfshirë dy dhoma zhveshje pacientësh me dollape garderobë.
Historia e ‘sterilizimit’ përsëritet te ‘dializa’? Si e rriti koston konçensionari
Në Janar të vitit 2023, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” zhvilloi një tender për pajisje dialize për repartin shtetëror ku trajtohen 36 pacientë aktualisht. Fondi ishte 224 milionë lekëpër 36 muaj. Në dokumentet e tenderit zbulohet se një set trajtimi është në vlerën rreth 6 mijë e 100 lekë.
Ndërkohë, kompania “DiaVita” e ka të parashikuar rreth 11 mijë e 200 lekë koston për secilin set.
Pra, 45% më shtrenjtë. Një raport i organizatës “Together for Life” vlerësoi se ky koncesion ka përfituar rreth 412 milionë lekë apo rreth 3.5 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit për seanca që NUK janë kryer.
‘Kalimi në duart e privatit në një situatë normale do të përmirësohej cilësia, por çmimi do të ishte mundësisht dhe më i ulët aq dhe më i ulët për të njëjtat kushte’ u shpreh eksperti i ekonomisë, Zef Preçi
Për kontratën PPP për periudhën 2016 – 2021 janë likuiduar nga buxheti i shtetit rreth 3.97 miliardë lekë, ndërsa mbeten për t’u shlyer për vitet e mbetura rreth 3.24 miliardë lekë.
Për këtë shërbim që i kushton taksapaguesve miliona euro çdo vit, raportet e vazhdueshme te kontrollit të lartë të shtetit kanë zbuluar se privati nuk ka mundur të përmirësojë cilësinë e shërbimit.
‘Hepatiti po bën namin’, auditi zbulon rritjen e vdekshmërisë në qendrat e dializës dhe fshehjen e të dhënave
Rasti më skandaloz është situata e pacientëve në spitalin e Korçës, për të cilët nuk është folur kurrë. Të dhënat tregojnë se për vitin 2021-2022 kemi një vdekshmëri të lartë të pacientëve, e po ashtu shpërthim të hepatitit B dhe C.
Mortaliteti vjetor i qendrës rezultoi e lartë 20% e pacientëve të qendrës. Qendra e hemodializës së Korçës ka një numër të lartë të pacienteve me hepatit, të cilët zënë 17.7% të të gjithë pacientëve të qendrës ku specifikisht ka 12 pacientë me hepatit C, 3 pacientë me hepatit B dhe 2 pacientë me hepatit B+C, të cilët e marrin shërbimin e hemodializës të gjithë bashkë në Sallën 1/C.
Aktualisht në Korçë trajtohen 95 pacientë me dializë dhe të dhënat alarmante zbulojnë rrezikun që u shkaktohet nga shërbimi i kompanisë private. Edhe më i rëndë është fakti se të dhënat e mortalitetit për 5 qendrat e dializës në rrethet Lezhë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë nuk ekzistojnë. Në kontratën koncesionare parashikohej mbledhja e këtyre informacioneve për të analizuar ecurinë. Nuk dihet nëse kompania private ka diçka për të fshehur por provat e zbuluara më sipër tregojnë rritjen e vdekshmërisë.
Në programet e auditimit të brendshëm të Fondit të Sigiurimit te Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk është përfshirë auditimi i monitorimit të shërbimit të ofruar nga qendrat e dializës, kjo me arsyetimin se Institucionet shëndetësore publike e jopublike të kontraktuara nuk janë direkt objekt i auditimit.
Plani për monitorimin e 5 qendrave të hemodializës për vitin 2021 – 2022 mund të konsiderohet i realizuar vetëm në masën 40%. Pra, të dhëna që nuk analizojnë dot panoramën e plotë.
‘Duhet te japin një shkak të ligjshëm cila ka qene pamundësia për ta monitoruar këtë kontratë nëse nuk kanë bazën ligjore e cila do ti justifiokonte faktin që nuk është kontrolluar nga ana e departamentit të auditimit këtu ka shkelje ligjore edhe penale’ u shpreh avokat, Gentjan Rumano
Fluksi më i madh i pacientëve është në Nefrologjinë e QSUT-së. Kjo për shkak se koncensionari nuk kryen seancat e dializës për rastet akute. Sipas kontratës së koncensionit, riinvestimi në pajisje mjekësore do të behet 100% dhe do të fillojë në 4 vitet e fundit. Por, në auditimin e kryer rezulton se koncensionari nuk ka filluar të ri investojë në pajisje mjekësore.